Gjysmëfinalja e Champions League mes Milanit dhe Interit ka vendosur rekorde ende pa zbritur në fushë. Një javë para duelit, sipas asaj që raportojnë mediat italiane, 74 mijë bileta janë shitur tashmë, me tifozët që presin me padurim të shikojnë nga afër idhujt e tyre. Shkallët e stadiumit mitik “San Siro” do të jenë të mbushura plot, teksa kuqezinjtë kanë arkëtuar 10 milionë euro vetëm nga biletat. Shifra të çmendura që do të tejkalojnë atë të duelit mes Milanit dhe Tottenham, ku një biletë mesatarisht u shit për 122 euro.
Derbi i Madoninës do të jetë edhe ndeshja e futbollit me fitimet më të larta ndonjëherë në Itali. Milan ka vendosur që çmimet të variojnë nga 69 në 419 euro në sektorin e abonimeve vjetore, teksa për ultrasit, biletat do të kushtojnë nga 104 deri në 459 euro. 10 milionë eurot e siguruara nga biletat do të jenë një vlerë e shtuar për arkat e klubit Kuqezi, i cili do të ketë përfitime të majme që mungonin prej vitit 2006.
Por ky rekord që do të thyhet sigurisht në gjysmëfinalen e dytë. Inter ka vendosur që biletat të kushtojnë akoma dhe më shtrenjtë. Sezoni 2022-2023 do të mbahet mend gjatë nga dy tifozeritë që kthehen në këtë fazë të Champions League pas shumë vitesh mungesë. Inter nuk luante në gjysmëfinale prej sezonit 2009-2010 kur më pas arriti të triumfojë në tripletën e famshme, teksa Milan nuk shijon këtë ecuri në arenën Europiane që prej 16 vitesh.