Dy shqiptare janë bërë protagoniste në Itali, pasi kanë frenuar një tentativë grabitje në farmacinë Galluzo në Firence. Maria dhe Albana kanë frenuar hajdutin e armatosur, kur në farmaci pati një panik të madh.
Një hajdut i armatosur priti disa minuta në radhë në një farmaci, i maskuar me kapuç dhe shall për të mbuluar fytyrën dhe kur i erdhi radha, i drejtoi armën farmacistes duke i kërkuar paratë. Në këtë moment, dy shqiptaret që kujdeseshin për mirëmbajtjen dhe pastrimin, Maria dhe Albana, mikesha, gjetën forcën të vepronin instinktivisht dhe shmangën më të keqen.
“Po pastroja raftet pranë hyrjes së farmacisë pashë nga larg që ai djali i kishte drejtuar armën doktoreshë Elisa-s, e pashë të rrëzohej nën banak, kisha frikë se mund të kishte vdekur.
Më pas pashë që grabitësi e kishte vendosur armën në banak, nuk e mendova asnjë sekondë, instinktivisht shkova drejt tij duke u munduar të nxitoja por pa u dëgjuar, mora armën nga banaku dhe vrapova drejt tij. Kur dola nga farmacia me armë në dorë, ai më ndoqi”, tha Maria, 39 vjeçe.
Mes Marias dhe grabitësit ndodhi një përleshje. Maria u rrëzua në tokë, hodhi armën, por mikesha e saj nuk e lë në baltë. Albana vrapon të marrë armën dhe ikën së bashku me të. Grabitësi ndjek Albanën, ata kalojnë nëpër rrugët e Piazza del Galluzzo, më pas Albana hedh pistoletën në asfalt, grabitësi e merr atë dhe zhduket.
Pas kësaj, Maria dhe Albana janë rikthyer në punë në farmacinë Galluzzo.
Maria është 39 vjeç, jeton në Italia që në moshën 19 vjeçare, është e martuar dhe ka 3 fëmijë. Albana ka dy fëmijë, prej 23 vitesh ndodhet në Itali. Të dyja kanë lindur në Shkodër, mbërritën shumë të reja në Itali për të qëndruar me bashkëshortët e tyre.
Veprimin në farmaci nuk e konsiderojnë gjest heroik, por instinkt mbrojtës ndaj njerëzve të rrezikuar.
“Veprimi ynë mund të duket si një gjest heroik, por në të vërtetë kemi vepruar me instinkt, një instinkt mbrojtës ndaj nesh dhe ndaj klientëve të tjerë të farmacisë, kishte shumë njerëz në atë moment, përfshirë një nënë me një fëmijë vetëm 2 vjeç”, thanë shqiptaret.
Ndonëse nuk i kanë harruar ende ato momente të forta, thonë se kanë fjetur të qeta.
Edhe Maria dhe Albana i drejtohen me një mesazh të qartë grabitësit: “Dëshirojmë t’i thonim të mos e bënte më një gjë të tillë, por gjithashtu t’i themi se nuk ia vlen të shkatërrosh jetën tënde për disa qindra euro. Të falim? Nuk mendoj se jemi gati ta falim atë”.