Diva e muzikës, Tina Turner ndërroi jetë të mërkurën në moshën 83-vjeçare në shtëpinë e saj në Küsnacht afër Zyrihut, Zvicër, ku fansat janë mbledhur që nga ai moment të lënë lule.

Shkaku i vdekjes së saj u bë i ditur pasditen e së enjtes. “Mbretëresha e Rock ‘n’ Roll”-it vdiq për shkaqe natyrale pas një sëmundjeje të gjatë dhe të pazbuluar. Lajmi është konfirmuar nga përfaqësues të saj për DailyMail. Vihet re se Tina Turner kishte bërë një betejë të vështirë në të kaluarën me kancerin e zorrëve, ndërsa vuante nga presioni i lartë i gjakut për më shumë se katër dekada.

“Bota humbi një legjendë muzikore dhe një model“, shkruan përfaqësuesit e saj kur njoftuan lajmin e hidhur për vdekjen e saj më 24 maj.

Edhe pse detajet e funeralit të saj nuk janë bërë ende të ditura, një zëdhënës i familjes ka konfirmuar se vetëm miqtë dhe familja më e ngushtë e yllit do të jenë të pranishëm. “Do të ketë një funeral privat ku do të marrin pjesë miqtë dhe familjarët e ngushtë”, konfirmoi zëdhënësi për The Sun.

Në kujtimet e saj, Tina Turner pranoi se në vitin 2016 kishte menduar për vetëvrasje të asistuar, përpara se burri i saj Erëin Bach t’i dhuronte veshkën e tij.