Akademia e Studimeve Albanologjike kundërshton vendimin e qeverisë për mbylljen e këtij institucioni dhe kalimin në varësi të Akademisë së Shkencave.
Pas një mbledhje urgjente, ASA deklaron për mediat se vendimi i qeverisë nuk njihet dhe se misioni i këtij institucioni do të vijojë.
DEKLARATA E AKADEMISË SË STUDIMEVE ALBANOLOGJIKE:
Senati i Akademisë së Studimeve Albanologjike i mbledhur urgjentisht pas deklaratës publike të ministres së Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, për miratimin e projektvendimit për mbylljen e veprimtarisë së Akademisë së Studimeve Albanologjike, shpall:
Është plotësisht kundër këtij vendimi të Këshillit të Ministrave;
Është një vendim politik që godet shkencën e albanologjisë në Shqipëri;
Është hartuar pa konsultime dhe pa transparencë.
Akademia e Studimeve Albanologjike do të vazhdojë misionin e saj për mbrojtjen e lirisë akademike duke përdorur të gjithë instrumentet ligjore të një shteti demokratik.
ASA u shpreh mirënjohjen qindra mijra qytetarëve, institucioneve kërkimore shkencore brenda dhe jashtë vendit, partnerëve tanë, aktivistëve dhe mediave që i dhanë jehonë këtij akti të paprecedent dhe të ndërmarrë në limitin e kohës.
Ndërkohë më herët në një reagim për mediat, Akademia e Shkencave përshëndeti vendimin e qeverisë.
“Akademia e Shkencave e Shqipërisë përshëndet vendimin e Qeverisë për rikthimin e Akademisë së Studimeve Albanologjike pranë Akademisë së Shkencave së Shqipërisë.
Akademia e Shkencave e Shqipërisë përshëndet vendimin e Qeverisë për bashkimin e saj me Akademinë e Studimeve Albanologjike, duke e konsideruar atë si një vendim që u jep të dy institucioneve mundësinë dhe përgjegjësinë për zhvillimin në një nivel të ri të shkencave albanologjike.
Statusi i ri që u jepet instituteve shkencore të albanologjisë si pjesë elitare e sistemit të kërkimit shkencor, pas një periudhe veprimtarie jo në përputhje me ligjet në fuqi, do të forcojë dukshëm edhe vetë statusin e punonjësve shkencorë.
Ky vendim shpreh rritjen e interesit e të angazhimit të qeverisjes për të rritur dhe evidencuar financimin dhe investimet për kërkimin shkencor, ashtu siç po vepron me mbështetjen për tri projektet madhore në albanologji e për ngritjen e njësive të reja kërkimore-shkencore me impakt kombëtar”, thuhej në deklaratën e ASH./Faxweb.al