Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë ditën e sotme se delegacioni i Kosovës nuk ka dashur të takohet me delegacionin serb në samitin e Komunitetit Politik Evropian në kryeqytetin moldav, Kishinau – ku Kosovën po e përfaqëson presidentja Vjosa Osmani.

“Nuk u miratua nga liderët e tjerë. Situata në Kosovë, së bashku me Ukrainën, u bë temë kryesore e takimit të Komitetit Politik Evropian. Serbia gjithmonë dëshiron bisedime dhe mua më duket se tani është më e qartë se kush është përgjegjës për dhunën në Kosovë”, u tha Vuçiq gazetarëve.

I pyetur se kur e pret një takim direkt me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ai tha se nuk e di. Vuçiç deklaroi se ulja e tensioneve në veri të Kosovës dhe vendosja e garancive për shmangien e veprimeve unilaterale ishin temat kryesore gjatë takimeve të tij me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz.

“Pas kësaj duhet të fokusohemi në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, që u nënshkrua dhjetë vjet e gjysmë më parë me Marrëveshjen e Brukselit. Besoj se njerëzit tani e kanë një pasqyrë më të qartë të asaj që po ndodh, pavarësisht se a e njohin vendet e tyre Kosovën apo jo? Ne duhet të bindim njerëzit në Ballkan se kompromisi nuk është një gjë e keqe. Nuk është e lehtë, të gjithë janë të radikalizuar dhe askush nuk dëshiron të dëgjojë ide normale”, tha Vuçiq.

Më 29 maj, nga përleshjet midis protestuesve serbë që kundërshtojnë kryetarët dhe ushtarëve të KFOR-it në Zveçan – 30 ushtarë mbetën të plagosur, ashtu si edhe dhjetëra protestues.

NATO-ja ka thënë se është e gatshme të dërgojë edhe më shumë trupa në Kosovë, për të qetësuar dhunën në veriun e vendit, të banuar me shumicë serbe, tha të enjten shefi i aleancës, Jens Stoltenberg.

Ai shtoi se 700 trupat e para përforcuese janë tashmë në rrugë për në Kosovë.

Kryetarët e rinj shqiptarë të komunave Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq kanë dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit, të cilat janë bojkotuar nga komuniteti serb.