Ish kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako del të enjten para Gjykatës Antikorrupsion për tu njohur me masën e arrestit me burg që u shpall kundër tij në mungesë.
SPAK bëri me dije detaje mbi dy episodet që e hetoi mbasi u sinjalizua nga kallëzimet e disa banorëve dhe të demokratit Ferdinand Xhaferri.
Për pallatin 11 katësh, SPAK thekson se ndërtimi i tij tej çdo kriteri, kushti teknik dhe në paligjshmëri e ktheu ndërtesën të rrezikshme për tu banuar. Për shkak të këtyre shkeljeve të kryera edhe nga të dyshuar të tjerë inxhinierë, kolaudues e administratori i firmës, pallati u dëmtua lehtësisht edhe nga tërmeti.Mes dhjetëra shkresave të sekuestruara , SPAK veçon tre dokumente të firmosura nga ish kryebashkiaku , në njërën prej të cilave urdhëronte pezullimin e punimeve në objektin në fjalë dhe në tjetrën miratohej zbardhja e lejes dhe diçka e tillë sipas SPAK, provon dijeninë e ish zyrtarit lokal.
Edhe për episodin e dytë mbi projektin “Promenadë Bregdetare” SPAK thekson se ju shkaktua shtetit një dëm prej 18 milionë lekë, për të cilat në fillim bashkia Durrës hapi proces ndaj firmës, por më pas juristi i caktuar nga ish kryebashkiaku u tërhoq nga gjykimi.
Pas këtij momenti dosja tregon se bashkia pavarësisht dëmit të konstatuar edhe nga KLSH, kreu likuidimin financiar ndaj subjektit privat. Për të dyja episodet akuzat e falsifikimit dhe të shpërdorimit të detyrës rëndojnë edhe ndaj nëntë personave të tjerë.
Top Channel