Bordi i Transparencës për çmimet e karburanteve u shfuqizua me vendim të qeverisë, por Konfindustria vlerëson se vendimi nuk pritet të sjellë asnjë ulje të çmimeve të karburanteve në treg, përkundrazi mund të përkeqësohet më tej.
Konfindustria në mënyrë të vazhdueshme ka dhënë alarmin për çmimet e larta të vendosura rregullisht nga Bordi i Transparencës, ndërsa pas shkrirjes së tij ngre shqetësimin se çmimet mund të rriten.
Në një njoftim për shtyp, Konfindustria thotë se çmimet nuk do të ulen për shkak të mungesës së konkurrencës së lirë në tregun e karburanteve si pasojë e pranisë së oligopoleve dhe marrëveshjeve të tipit kartel.
Konfindustria vëren mungesë të standardeve të konkurrencës, “sidomos në pjesë të caktuara të zinxhirit tregtar si shërbimet portuale, të depozitimit dhe të tregtisë me shumicë të karburanteve.”
“Konfindustria përsërit kërkesën për krijimin e Entit Rregullator të Karburanteve sipas modeleve të ngjashme të sukseshme në Rajon. Tregu strategjik i karburanteve ka qarkullim vjetor në mbi 11% të PPB me mbi 1.5 miliard $/vit, duke qenë nga më të mëdhenj të ekonomisë shqiptare.
Shqipëria ka çmimet krahasimore të karburanteve nga më të larta në nivel kontinenti dhe më gjerë. P.sh në Maqedoninë e Veriut, ku fuksionon agjencia rregullatore e karburanteve, çmimi i naftës është 124 lekë/litër, ndërkohë që në Shqipëri është 176 lekë/litër d.m.th mbi 15-20 lekë/litër më shtrenjtë, marrë parasysh edhe ngarkesën fiskale. Kostot në tregun shqiptar rriten edhe më shumë nga standardet e dobëta të cilësisë dhe vjedhjet me volumet në pikat e shitjes me pakicë.
Mjaft problematike paraqitet edhe kontrabanda masive e karburanteve në vlera deri në 300 milionë$/vit, shoqëruar edhe deri në thyerje të shpeshtë të embargos me vende si Rusia, Irani, Libia, etj.”- thuhet në reagimin e Konfindustrisë.
Top Channel