Qeveria ka shkarkuar nga detyra kryebashkiakun e Kukësit Safet Gjici, pas publikimit të videos erotike nga ambientet e zyrës së tij.
Lajmi është bërë i ditur nga ministrja e Financave Delina Ibrahimaj, pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë.
Ibrahimaj tha se vendimi për shkarkimin e Gjicit ishte i menjëhershëm, ndërkohë që nuk ka pasur një koment të mëtejshëm, në lidhje me lajmin që ka shkaktuar një furtunë reagimesh në opinionin publik.
“Këshilli i Ministrave mori një vendim të menjëhershëm për shkarkimin e kryebashkiakut të Kukësit”, tha Ibrahimaj.
Nga ana tjetër vetë Gjici, në një reagim pas publikimit të videos në rrjetet sociale, dha dorëheqjen nga posti i kryetarit të Bashkisë, ndërkohë që ngjarjen e konsideroi një kurth të përgatitur me kujdes nga kundërshtarët në drejtim të tij.
Në videon që u publikua sot në rrjetet sociale fillimisht dhe më pas në media, Gjici shfaqej duke kryer marrëdhënie seksuale me një vajzë në ambientet e zyrës së tij, ndërkohë që pamjet duket se i përkasin fillimit të muajit Qershor.
Vetë Gjici pretendoi se kishte një marrëdhënie intime prej disa kohësh me vajzën që ishte pjesë e videos, edhe pse në fakt publikisht ai është ende në një martesë, ku ka katër fëmijë, e madje është bërë edhe gjysh.
Mbetet për t’u parë se si do të vijojë hetimi nga SPAK për Gjicin, pasi prokuroria e posaçme ka nisur hetimet kryesisht për këtë rast, nëse kryebashkiaku i shkarkuar i Kukësit ka shkelur apo jo detyrën.
Institucioni i akuzës do kryjë veprime për vendin ku ështe kryer video, dhe për vajzën që shfaqet në të. Nëse ajo është punonjëse e bashkisë Kukës, atëherë nuk përjashtohet mundësia që ndaj Gjicit të ngrihet edhe akuza kryerja e mardhënieve sekuesale ose homoseksuale duke shpërdoruar mardhënit e varësisë ose detyrës.