Qindra zjarrfikës po luftojnë me flakët në Greqi për të vënë nën kontroll zjarrin që nisi mesditën e sotme në Kouvara të Atikës dhe po përhapet drejt Anavyssos, Lagonisi dhe Saronida.
Në Saronidë beteja nga ana e zjarrfikësve po zhvillohet oborr më oborr, ndërsa mjetet ajrore do të vijojnë të funksionojnë deri në orën 21:00. Njëkohësisht, sipas ankesave të banorëve, ka pasur ndërprerje të furnizimit me ujë në Panorama Saronidas, për pasojë makinat e zjarrfikësve kanë mbetur pa ujë.
“Shtëpitë po digjen”, tha fillimisht për ERT-në Dimitris Loukas, kryebashkiaku i Lavreotiki-s, duke theksuar se fronti i zjarrit që nisi nga Kouvaras është mbi 4 kilometra.
Në zonë operojnë 210 zjarrfikës me 68 automjete, 10 njësi këmbësore, 31 zjarrfikës rumunë me 2 automjete uji. Po ashtu ndihmojnë 10 avionë dhe 6 helikopterë. Nga ana e Forcave të Armatosura merr pjesë një seksion këmbësorësh prej 20 personash. Njëkohësisht, Roja Bregdetare po patrullon me 4 gomone fryrës dhe dy anije peshkimi.
Janë 81 zjarre pyjore të ndodhura në 24 orët e fundit në të gjithë vendin. Sipas përditësimit të fundit të emergjencës për zjarret, beteja që po bëhet nga zjarrfikësit është për të parandaluar që zjarri të kalojë Autostradën Kombëtare. Njëkohësisht i drejtohet drejtuesve të mjeteve apel që të shmangin trafikun në Patra-Athinë.
Në lidhje me zjarrin e pyjeve të ndodhur pasdite në Dervenochoria, forcat e zjarrfikësve janë duke u përforcuar vazhdimisht.