Pasditen e sotme në fshatin Balldren të Lezhës, u vra me armë zjarri shtetasi Nikolin Marku (Lekstakaj), 42 vjeç.
Viktima u qëllua nga një makinë në lëvizja, në momentin që po dilte nga marketi
Pista kryesore kësaj ngjarje të rëndë është ajo e gjakmarrjes, pasi fisi Lekstakaj është në hasmëri me fisin Nikulaj prej gati 3 dekadash.
Kujtojmë që tre muaj më parë u ekzekutua në ambientet e biznesit të tij shtetasi Ardian Nikulaj.
Policia është duke punuar për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Njoftimi i policisë:
Lezhë/Informacion paraprak
Më datë 19.07.2023, rreth orës 18:30, në Balldre, Lezhë, në rrethana ende të paqarta është vrarë me armë zjarri shtetasi N. M (L), rreth 42 vjeç.
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe kanë bërë rrethimin e zonës, janë ngritur pika kontrolli e vijon krehja e zonës për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.
Si nisi konflikti mes fiseve?
Konflikti mes dy fiseve Nikulaj dhe Lekstakaj ka nisur që në vitin 1996, në një karburant në dalje të qytetit të Lezhës për një shumë prej 10 mijë lekësh të vjetra.
Në atë kohë, vëllai i biznesmenit Ardian Nikulaj bashkë me një person tjetër ishin shitës në karburant dhe një nga pjesëtarët e familjes Lekstakaj po furnizonte makinën aty. Pas furnizimit, shitësit kanë debatuar me drejtuesin e mjetit me pretendimin se nuk kishte bërë pagesën e karburantit.
Pas debatit ata janë larguar dhe njëri prej tyre ishte rikthyer i armatosur disa minuta më vonë dhe ka qëlluar në drejtim të karburantit. Një prej viktimave ishte edhe vëllai i Ardian Nikulaj.
Pak muaj pas kësaj ngjarje u vranë Gëzim Lekstakaj dhe Laurent Gjetja, ky i fundit nip i familjes.
Gjakmarrja vijoi edhe në vitin 1999 me vrasjen e Gjovalin Lekstakajt dhe u plagos i afërmi i tij, Pjetër Lekstakaj.
Këto ngjarje vijojnë të jenë të pazbardhura nga drejtësia shqiptare. r.t/abcnews.al