Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Maliq, ku burri ka tentuar të vrasë gruan dhe të birin, dhe më pas është kyçur i armatosur në banesë dhe nuk dorëzohet.
Mësohet se 50 vjeçari Ramiz Muçllari, është konfliktuar mbrëmjen e djeshme me familjarët e tij, gruan Pëllumbesha Muçllari dhe të birin Kamber Muçllari ndërsa ka tentuar ti vrasë.
Menjëherë pas incidentit është lajmëruar policia të cilët menjëherë shkuan në vendin e ngjarjes. Autori ka goditur me levë njërin prej tyre, ndërsa tjetrin ka tentuar ta mbysë me duar. 50 vjeçari ka hapur zjarr ndaj uniformave blu, dhe nuk pranon të dorëzohet.
Në Maliq kanë mbërritur forcat RENEA, të cilët kanë rrethuar zonën dhe ende pritet që të mundësohet dorëzimi i autorit, por ka gjasa që ai të ekzekutohet nëse vijon të mos dorëzohet.
Njoftimi i Policisë:
Shërbimet e Policisë, janë njoftuar se në fshatin Qesarakë, Maliq, shtetasi R. M., 62 vjeç, kishte dëmtuar me mjet prerës në këmbë bashkëshorten e tij P. M., 58 vjeçe dhe me mjet të fortë në kokë djalin e tij K. M., 27 vjeç, të cilët aktualisht ndodhen në spitalin e Korçës, në kujdesin e mjekëve.
Pas marrjes së këtij njoftimi, menjëherë shërbimet e Policisë kanë shkuar drejt adresës së dhënë, ku kanë konstatuar të mbyllur në banesën e tij autorin e dyshuar R. M., i cili është i armatosur me armë zjarri.
Shërbimet e Policisë kanë mbajtur të rrethuar banesën dhe kanë marrë masa sigurie, pasi 62-vjeçari ka hapur zjarr në drejtim të Policisë lokale.
Në vendngjarje, kanë mbërritur Forcat Speciale “Renea”, të cilët në bashkëpunim me strukturat e DVP Korçë, si dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq, po mbajnë të rrethuar zonën dhe po negociojnë me shtetasin R. M., që ai të dorëzohet, por 62-vjeçari nuk ka pranuar dhe vijon të qëllojë në drejtim të forcave të Policisë.
Sipas deklarimeve paraprake të marra familjarëve të tij, dyshohet se shtetasi R. M., vuan nga probleme të shëndetit mendor.
Operacioni për kapjen e tij, po vijon.