Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan
Në lidhje me një video të postuar në portalin “JOQ”, në të cilën shfaqet një automjet policie, duke kryer parakalime të gabuara, ju informojmë se:
Menjëherë pas publikimit të kësaj video-je, shërbimet e Sektorit të Qarkullimit Rrugor të DVP Elbasan kanë ndëshkuar drejtuesin e këtij automjeti, punonjësin e Policisë inspektor A. B., me masën administrative maksimale për shkeljen e kryer (3000 lekë të rinj), bazuar në pikën 15, të paragrafit të 2-të, të nenit 146 të Kodit Rrugor.
Drejtuesi i automjetit, inspektor A. B. ka bërë shlyerjen e menjëhershme të masës administrative.
Gjithashtu, për punonjësin e Policisë inspektor A. B. ka nisur hetimi administrativ, për shkelje të lehtë.
Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan fton qytetarët të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, dhe i garanton ata se do të reagojë menjëherë dhe konform ligjit.