Morinë, arrestohet teksa hynte në Shqipëri një shtetas 58 vjeçar nga Peruja.
Shtetasi Dmytro Chornyi është i dënuar me 25 vite burgim për trafik arme dhe krime kundër shtetit në Peru.
Arrestimi i peruanit është bërë me qëllim ekstradimin e tij drejt Perusë. Ky shtetas ishte në kërkim ndërkombëtar dhe vendbanimi i tij ishte në Ukrainë.
Arrestimi i tij u bë i mundur në bazë të informacioneve nga Interpol Tirana. 58 vjeçari ishte dënuar nga autoritetet gjyqësore në Peru për veprat penale “Trafikimi i armëve” dhe “Krimet kundër shtetit dhe mbrojtjes kombëtare”.
Njoftimi i Policisë:
PKK Morinë
Tentoi të hynte në Shqipëri, ndërkohë që ishte i dënuar me 25 vjet burgim, nga autoritetet e Perusë, për trafikim të armëve dhe për krime kundër shtetit, arrestohet me qëllim ekstradimin, 58-vjeçari.
Krahas angazhimit maksimal për të ofruar shërbim cilësor, të shpejtë dhe me etikë, për qytetarët në hyrje/dalje të vendit, shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Morinë kanë vijuar punën për goditjen e paligjshmërive në kufi, si dhe për ndalimin e shtetasve që sinjalizohen si të shpallur në kërkim dhe tentojnë të hyjnë apo të dalin nga kjo pkk.
Në këtë kuadër, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës, dhe si rezultat i shkëmbimit të informacioneve nga shërbimet e Interpol Tiranës, u ndalua dhe u vu në pranga, me qëllim ekstradimin drejt Perusë, shtetasi i kërkuar ndërkombëtarisht Dmytro Chornyi, 58 vjeç, banues në Ukrainë.
Gjatë verifikimeve dhe intervistimit në vijë të dytë, në hyrje të vendit, rezultoi se 58-vjeçari ishte i dënuar nga autoritetet gjyqësore të Perusë, me 25 vjet burgim, për veprat penale “Trafikimi i armëve” dhe “Krimet kundër shtetit dhe mbrojtjes kombëtare”, të parashikuara nga legjislacioni penal i Perusë.
Interpol Tirana vijon të bashkëpunojë me homologët në Peru, për ta ekstraduar shtetasin Dmytro Chornyi, drejt këtij shteti.