Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për “Al Jazeera”, ka komentuar sulmin e 24 shtatorit në Veri të Kosovës. Ai ka shprehur shqetësimin se i druhet një sulmi të ri nga Serbia.
I pyetur nëse autoritetet e Kosovës kanë ndonjë informacion të inteligjencës për sulmet e reja, Kurti u përgjigj se ka informacione se, disa grupe të caktuara të armatosura po stërviten shumë pranë kufirit me Kosovën dhe po përgatiten për luftë.
“Këto grupe të armatosura, të cilave, Forcat e Armatosura të Serbisë u ofrojnë pajisje, armë dhe municion, janë duke kryer vazhdimisht stërvitje në afërsi të kufijve të Kosovës dhe po përgatiten për luftë. Nuk përjashtohet ri-agresioni”.
Kurti shtoi se, Serbia donte që lufta të fillonte të dielën. Ai akuzoi Beogradin dhe grupet e armatosura se duan të përsërisin skenarin e fillimit të luftës në Sarajevë.
“Vuçiç deshi një luftë tjetër dhe një gjenocid, sepse dëshiron Republikën Srpska në Kosovë”.