Qeveria izraelite konfirmoi se numri i të vrarëve nga sulmi i Hamasit dhe përleshjeve me militantët palestinezë, është rritur në 600.
Kabineti i sigurisë së Izraelit deklaroi zyrtarisht gjendje lufte. Ky njoftim vjen teksa për të dytën ditë me radhë forcat izraelite po përleshen me militantët e Hamasit në pjesën jugore të shtetit. Ndërkaq, zyrtarët shëndetësorë palestinezë kanë thënë se numri i viktimave në Gaza është 313. Ushtria izraelite deklaroi sot se synon të evakuojë të gjithë izraelitët që jetojnë afër Rripit të Gazës brenda 24 orëve, përderisa ka dislokuar mijëra luftëtarë për t’u përballur me militantët e Hamasit, që janë infiltruar brenda Izraelit.
“Misioni ynë është që në 24 orët e ardhshme të evakuojmë të gjithë banorët që jetojnë rreth Gazës. Ka dhjetëra mijëra ushtarë në zonë. Ne do të arrijmë te secili komunitet derisa të vrasim të gjithë terroristët në Izrael tha zëdhënësi i ushtrisë, Daniel Hagari, duke shtuar se luftimet po vazhdojnë për të “shpëtuar pengjet” që po mbahen nga militantët.
Një ditë pas nisjes së sulmeve nga militantët e Hamasit, të cilët hynë në Izrael, forcat izraelite pa humbur kohë nisën kundërpërgjigjen. Pamjet e rënda tregojnë se si të dyja palët po përballen me shkatërrim total. Forcat e Mbrojtjes të Izraelit deklaruan se po shpallin “gjendje gatishmërie për luftë” në përgjigje të sulmit të befasishëm nga Gaza. Ministri i Mbrojtjes ka miratuar një thirrje për rezervistët ushtarakë.
Ushtria izraelite njoftoi se ka ende tetë pika angazhimi brenda territorit të saj, megjithëse pretendon se ka rimarrë kontrollin e pjesës më të madhe të zonave në jug. Zyrtarët izraelitë kanë deklaruar se do të vijojnë të njëjtat veprime deri sa të marrë kontrollin e të gjitha territoreve ku janë militantët e Hamasit. Dhjetëra fluturime janë anuluar në Tel Aviv, për shkak të rrezikut që vijon të mbetet i lartë, duke lënë shumë persona të bllokuar.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme këshillon qytetarët të mos udhëtojnë drejt Izraelit, vendit që ka hyrë në luftë dhe po sulmohet vazhdimisht prej më shumë se 24 orësh nga militantët e Hamasit. Në një njoftim, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme thotë se është në kontakt me të gjithë shtetasit shqiptarë që jetojnë në Izrael dhe vë në dispozicion numrat e kontaktit për qytetarët që duan të largohet nga vendi:
Të kontaktojnë në numrin e WhatsApp: +972 54-904-2813 ose në adresën e emailit: DK@mfa.gov.al
“Prej 48 orësh, kam qenë në kontakt me Ministrin e Evropës dhe Punët e Jashtme z. Hasani dhe përmes Ministrisë dhe stafit të ambasadës jemi në kontakt me shtetasit shqiptarë që jetojnë e punojnë në Izrael për t’i ndihmuar në largimin nga vendi. Me porosi të Ministrit ka vëmendje maksimale për shtetasit tanë, për punonjësit dhe familjarët e ambasadës si edhe për shtetasit nga Kosova, Mali i Zi apo Maqedonia e Veriut”.
Top Channel