Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka sekuestruar 11 pasuri të paluajtshme, që u përkisnin anëtarëve të grupit kriminal, në kuadër të megaoperacionit policor të koduar “Flakë në det”.
Mes pasurive, janë një restorant në Lezhë, disa automjete, shuma parash dhe mjete lundruese, që dyshohet se përdoreshin për trafikun e drogës.
Vetëm dy ditë më parë drejtori i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku doli në një konferencë për mediat ku dha detaje në lidhje me këtë operacion, në fazën e dytë të tij. Si rezultat u arrestua shefi i komisariatit të Kurbinit Dritan Metaj ndërsa u shpall në kërkim Gëzim Cela, Arben Dalipaj dhe Roland Guza.
Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka kofirmuar përmes një deklarate, se Armando Papa, është pjesë e grupit të Gëzim Çelës.
SPAK ka nisur hetimet pas zbulimi të një sasi prej 41 kg drogë më 31 Mars 2023 në bagazhin e automjetit ku udhëtonte Armando Papa, i cili u vendos në pranga të policisë.
Papa dyshohet se është pjesë e të njëjtit grup kriminal që kryesohej nga Çelaj, i njohur ndryshe si baroni i drogës në Fushë Kuqe.
Njoftim për shtyp
(Datë 11.10.2023)
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka regjistruar procedimin penal Nr. 185 të vitit 2023 për veprat penale të “Trafikimit të narkotikëve” e kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 283/a/1, 333/a dhe 334 të Kodit Penal. Me vendim të Prokurorisë së Posaçme procedimi penal nr.185 i vitit 2023 është bashkuar me procedimin penal nr.211 të vitit 2023.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se me datën, 31 Mars 2023 pas kryerjes së veprimeve hetimore në dinamikë, është ushtruar kontroll në automjetin Mercedez Benz me targë AB 790 IK, ku janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 62 pako me peshë prej 41 kilogram e 695 gramë, lëndë narkotike e llojit ‘’heroinë’’ si dhe është arrestuar në flagrancë i dyshuari Armando Papa dhe kanë vijuar hetimet për pjesëtaret e tjerë të grupit kriminal.
Në vijim të hetimit të këtij procedimi penal janë administruar të dhëna për faktin se nga pjesëtaret e këtij grupi kriminal, me datë 14 Gusht 2023, do trafikohej një sasi e konsiderueshme lënde narkotike e llojit “cannabis sativa’’ nga vendi i quajtur Patok-Kurbin me mjete lundruese, nëpërmjet detit dhe kjo lëndë narkotike do të shkëmbehej në det me lëndë narkotike të llojit ‘’kokainë’’ e cila do të transportohej me një mjet tjetër lundrues i cili drejtohej nga shtetas të huaj. Lënda narkotike më pas do të trafikohej nga pjesëtarët e këtij grupi kriminal.