Një 32-vjeçar i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik droge është arrestuar në Shkodër. Bëhet fjalë për shtetasin Fatlum Murçaj, i cili është i akuzuar nga autoritetet e Italisë, si pjesëtar i një organizate kriminale për trafikim të narkotikëve.
32-vjeçari pritet të ekstradohet drejt Italisë.
Njoftimi i policise:
FAST Albania/Bashkëpunim intensiv me partnerët, për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Finalizohet në Shkodër, operacioni policor i koduar “Part of”.
I akuzuar nga autoritetet e Italisë, si pjesëtar i një organizate kriminale për trafikim të narkotikëve, kapet dhe arrestohet me qëllim ekstradimin, 32-vjeçari i kërkuar ndërkombëtarisht.
Pas shkëmbimit të informacioneve ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar, për llogari të Italisë, shërbimet e njësisë së specializuar FAST Albania, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Part of”.
Si rezultat i operacionit, u lokalizua në lagjen “Ndoc Mazi”, Shkodër, dhe u arrestua provizorisht, me qëllim ekstradimin, shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar F. M., 32 vjeç.
32-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Milanos i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale ”Organizata kriminale me qëllim trafikimin e drogës”, sipas Kodit Penal të Italisë, ku parashikohet dënim deri në 20 vjet burgim për këtë vepër.
Interpol Tirana vijon të bashkëpunojë me partnerët italianë, për ekstradimin e shtetasit F. M.