Janë zbardhur detaje të reja nga aksidenti tragjik i regjistruar paraditen e kësaj të marte në aksin rrugor “Korçë-Bilisht”, ku një e mitur u përplas për vdekje nga një automjet.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:00, pranë kryqëzimit të fshatit Zëmblak, ku automjeti tip “Opel” me drejtues shtetasin I. K., përplasi një 14-vjeçare, këmbësore në rrugë, e cila për pasojë humbi jetën.

Mësohet se e mitura është përplasur në momentin kur sapo ka zbritur nga një furgon dhe kjo gjë konfirmohet si nga dëshmitarët dhe nga grupi hetimor. Nga hetimet paraprake, shkaku i akisdentit dyshohet të ketë qenë shpejtësia e lartë me të cilin po lëvizte automjeti tip “Opel”.

Policia ka shoqëruar në komisariat drejtuesin e automjetit, shtetasin I. K. dhe po merr në pyetje dëshmitarët e aksidentit, si dhe po kryen veprimet e tjera hetimore.

Zona në fjalë njihet si një ndër njollat e zeza të aksidenteve rrugore për shkak se mjetet ecin me shpejtësi të lartë dhe shpesh përgjatë saj ka zona të banuara.