Nesër do të zhvillohet seanca e rradhës plenare në Kuvendin e Shqipërisë. Është bërë më dije se Parlamenti ditën e nesërme do të rrethohet me gardistë të Republikës të cilët do të pengojnë hyrjen e atyre deputetëve opozitarë që janë përjashtuar nga seancat plenare për disa ditë.

Lidhur me këtë vendim ka reagur për mediat, deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi. Ai shprehet se është shpallur zyrtarisht shteti autokrat i Edi Ramës.

Bardhi dënon me forcë këtë degradim, siç e quan ai, të regjimit të Ramës. Ai shton se Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe ky është një akt i paprecedentë në 32 vitet e pluralizimit.

Reagim i Kryetarit të Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi

Sot jemi njohur me urdhrin e paligjshëm të Lindita Nikollës për të rrethuar të hënën sallën e seancave plenare me forcat speciale të Gardës së Republikës, duke shpallur kështu zyrtarisht shtetin personal autokrat të Edi Ramës. Siç shihet edhe në foton bashkëlidhur Garda e Republikës është urdhëruar të bëjë “provat” gjatë ditës së sotme sesi do të rrethojnë deputetët e opozitës gjatë seancës plenare të së hënës!

Duke dënuar me forcë këtë degradim të regjimit të Edi Ramës, duam të sigurojmë se nuk ka gardist e polic që mund të pengojë dhe intimidojë opozitën në misionin për të kthyer parlamentarizmin dhe për të mbrojtur të drejtat kushtetutese të opozitës. Një Parlament, ku deputetët rrethohen nga forcat e sigurisë gjatë vendimmarrjes së tyre, nuk mund të jetë kurrë Parlamenti i një vendi demokratik, anëtar i NATO-s dhe vend kandidat për në BE. Është akt i paprecedent në 32 vite demokraci, shndërrimi i sallës së Kuvendit nga salla e përfaqësuesve të qytetarëve, në sallën e gardistëve qeveritar. Ky Parlament është turpi i Shqipërisë, njëlloj si qeverisja e korruptuar e Edi Ramës.