Elbasan/Goditet një rast i veprimtarisë kriminale të armëmbajtjes pa leje, si rezultat i kontrolleve që vijojnë të kryhen në kuadër të operacionit policor të koduar “Sundimi i ligjit”.

Bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore është finalizuar operacioni policor i koduar “Distanca”.

Kapet në flagrancë dhe vihet në pranga një 27-vjeçar që mbante me vete armë zjarri pistoletë.

Sekuestrohen arma e zjarrit pistoletë dhe automjeti që drejtonte 27-vjeçari në momentin e kapjes në flagrancë.

Gjithashtu, sekuestrohen municion luftarak dhe 1 palë dylbi që u gjetën në banesën e këtij shtetasi.

Në vijim të kontrolleve që kryhen në kuadër të operacionit policor të koduar “Sundimi i ligjit”, shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Elbasan, bazuar në inteligjencën policore se një shtetas qarkullonte me armë zjarri, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Distanca”.

Gjatë operacionit, në fshatin Shijon, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin me drejtues shtetasin E. C., 27 vjeç, banues në Prrenjas, të cilit gjatë kontrollit fizik i kanë gjetur 1 armë zjarri pistoletë.

Në vijim të veprimeve procedurale, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në banesën e 27-vjeçarit, ku kanë gjetur municion luftarak dhe një palë dylbi.

Arma e zjarrit pistoletë, municioni luftarak, dylbitë dhe automjeti që drejtonte 27-vjeçari, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme./Egnatia news