Hetuesit që po punojnë për zbardhjen e ngjarjes në burgun e Peqinit, kanë bastisur banesën e Mjecajt në Dukagjin. Hetuesit kanë shkuar në veri të vendit, ku kanë kontrolluar banesën ku jetojnë të afërm të tyre si dhe kanë shoqëruar këta të fundit, për ti marrë në pyetje.
Lidhur me armën e krimit të përdorur nga Mjacaj burime bëjnë me dije se ajo është futur me një pajisje mikrovale apo për kalimin e saj të jetë marrë rryshfet nga punonjës burgu.
20 ditë kishte Sokol Mjacaj që qëndronte në të njëjtin sektor me Arben Lleshin njëri në katin e parë (Lleshi) dhe tjetri në të dytin. Mjacaj kishte qenë në të njëjtën qeli me Fran Marashin, i cili vuan dënimin e përjetshëm për masakrën e Kuçovës, por që së fundmi është rikthyer për hetim dosja e tij nga e para.
Në qelinë e Marashit e Mjacajt u zbulua një telefon, ndërsa mes tyre pati përplasje por mbetet për tu zbuluar nëse ishte reale apo e planifikuar pasi nisën të akuzojnë njëri-tjetrin si posedues të telefonit. Në këto kushte Marashi ata u ndanë duke i futur në ambientet speciale bis. Mjacaj qëndroi disa kohë aty dhe para 20 ditësh kaloi në sektorin ku qëndroi deri dje.
Sakaq policia e Elbasanit ka dalë me një njoftim zyrtar sa i takon 12 personave të ndaluar, mes tyre drejtori i burgut të Peqinit, Kamber Hoxha dhe akuzat ndaj tyre.
Ndërkohë u sekuestrua arma e zjarrit e përdorur në ngjarje, si dhe prova të tjera materiale që do t’i shërbejnë hetimit.