Sali Berisha nuk ndalet as nga arresti në shtëpi, teksa pasditen e sotme ka dalë me mikrofon në dritaren e banesës dhe ka mbajtur fjalim para dhjetëra simpatizantëve të tij që janë mbledhur poshtë pallatit ku ai banon.

Ai u shpreh se kjo betejë e nisur në këtë rrugicë, do të shpërndahet në të gjithë vendin.

“Për Edi Ramën Kushtetuta e vendit nuk ekziston. Nuk ka prokuror që mund të mohojë lirinë e shprehjes. Kjo betejë ka për qëllim rikthimin pluralizmit. Rama është vërsulur ndaj çdo demokrati me urrejtje”, tha ai ndër të tjera.

Pjesë nga fjala e Berishës:

Nuk kam komunikuar për shkak të gjendjes gripale, nuk do bëj më vaksinën e imponuar nga pushteti! Kjo është betejë hyjnore

Të dashur demokrate dhe demokratë.
Vëllezër dhe motra.
Një përshëndetje të zjarrtë ju këtu qeë keni ardhur këtu në këtë protestë, por përshëndetje demokrateve dhe demokratëve kudo që janë sot.
Përshëndetje popullit opozitar nga zemra uroj sukses në betejën tonë pa kthim, në betejën tonë të fitores.
O sot o kurrë!
Në këmbë shqiptarë.
Miqtë e mi, këto ditë nuk kemi pasur një komunikim zanor me ju.
Ju garantoj se nuk ka qenë absolutisht vendimi i Edi Ramës që ka ndërprerë komunikimin, por ka qenë një gjendje gripale e cila kërkonte që të ruhesha për mosrëndimin e saj.
Ajo kaloi shkëlqyeshëm dhe do ju rrëfej një gjë.
Gjithë jetën unë kisha bërë vaksinën e gripit, por kur pushtetet filluan të na e imponojnë si në diktatura qytetarëve, unë hoqa dorë prej saj dhe nuk do e bëj ndonjëherë.
Miqtë e mi, Edi Rama në traditën e tij më të shëmtuar, në traditën e të atit të tij xhelat, i cili si zëdhënës i Ramiz Alisë dhe Nexhmije Hoxhës, firmoste varjen në litar të fjalës së lirë të poetit të pavdekshëm Havzi Nela, urdhëroi mercenarët e tij t’i ndërpresin Sali Berishës çdo komunikim me ju.
Por unë do u rrëfej ju një gjë.
Unë dhe çdo njëri prej jush kemi dy Kushtetuta. Kushtetutë supreme kemi ndërgjegjen tonë.
Ajo është hyjnorë, është tokësore. Ne i bindemi asaj, njëlloj si Zotit dhe ndaj u garantoj ju se Sali Berisha do pranojë dhe do bëjë vetëm atë që është në interesin tuaj, në interesin e demokratëve, në interesin e pluralizmit, në interesin e Shqipërisë.
Përveç kësaj, vendi, kombi ka një Kushtetutë të miratuar. Një Kushtetutë që përdhoset, shkelmohet çdo ditë nga diktatori i bandave, Edi Rama dhe mercenarët e tij në Skap dhe në drejtësi.
Për Edi Ramën, Kushtetuta e vendit nuk ekziston.
Kushtetuta ka një nen të saj, ka nenin 17, në të cilin përcakton se nuk ka kryeministër, nuk ka gjykatës, nuk ka prokuror që mund të mohojë lirinë e shprehjes. Ajo ndodh vetëm me ligj, por horat ligj nuk kanë, horat moral nuk kanë.
Ndaj dhe ne respektojmë Kushtetutën supreme, por respektojmë edhe Kushtetutën që qëndron në themel të shtetit ligjor.
Miqtë e mi, kjo është një betejë që ka një mision të shenjtë hyjnor, rikthimin e pluralizmit pas zhdukjes së tij 33 vjet pas themelimit të PD.