Prokuroria Speciale malazeze, SDT ka ngritur një akt akuzë ndaj një grupi prej 11 anëtarësh për trafik droge, armësh dhe porositjen e një vrasje, sipas mediave të huaja.
Prokuroria pretendon se grupi është formuar nga Milan Jankoviç nga Barani dhe Toni Junçaj nga Tuzi. Ata dyshohen për trafik lëndësh narkotike, krijimin e organizatës kriminale dhe trafik armësh, ndërsa për vrasje të rëndë me nxitje akuzohet edhe Milan Miloviç nga Sutomore.
Përveç Jankoviçit, Junçajt dhe Miloviç, sipas dyshimeve të SDT-së, edhe Darko Vukçeviç nga Podgorica, i cili është në vuajtje të dënimit, edhe bashkëqytetari i tij Bozhidar Vukçeviç, pastaj Sllađan Gjinoviç dhe Spasoje Zlatiçanin nga Zeta, Alen Đoleviç nga Tuza, Filip Krstonijević nga Tuza, Anton Ljucđonaj nga Podgorica si dhe shtetasi shqiptar Nikolino Pepaj dhe persona të tjerë të panjohur.
Sipas aktakuzës, gjatë viteve 2021 dhe 2022, të pandehurit Jankoviç dhe Junçaj kanë organizuar një organizatë kriminale në territorin e Malit të Zi, Shqipërisë, Serbisë, Bosnjë e Hercegovinës, Kroacisë, Austrisë dhe Holandës.
Në aktakuzë thuhet se veprimtaria e organizatës kriminale është planifikuar për një kohë të gjatë dhe në shkallë ndërkombëtare. SDT akuzon grupin se ka rekrutuar anëtarë të tjerë të organizatës kriminale, duke organizuar transferimin e marijuanës nga Mali i Zi në vendet fqinje dhe më tej në vendet anëtare të BE-së.
Sipas prokurorisë kjo organizatë përdorte telefona me aplikacione të enkriptuar për të komunikuar.
SDT dyshon gjithashtu se grupi ka kontaktuar me disa persona nga Shqipëria, Kroacia dhe Bosnja e Hercegovina me qëllim trafikun e marijuanës, duke marrë celularë të koduar, siguronte para për blerje droge, siguronte fonde për anëtarët e një organizate kriminale që kishin për detyrë personalisht dhe nëpërmjet anëtarëve të tjerë të trafikonin marijuanë nga Mali i Zi në vendet përreth dhe vendet e BE-së.
Anëtarët e organizatës kriminale dhe persona të tjerë të panjohur, siç thuhet në aktakuzë, për të realizuar planin kriminal, kanë pranuar të kryejnë detyra sipas urdhrave të organizatorëve.
Gjithashtu, një prej të pandehurve akuzohet se ka blerë 12 pistoleta të markave dhe kalibrave të ndryshëm në Tivar në maj të vitit 2021 dhe një “Heckler & Koch” (HK), model USP Compact, kalibër të paspecifikuar, pa u pajisur me dokumente përkatëse për armët./abcnews.al