Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka thënë se vendimi i autoriteteve të Kosovës për anulimin e dinarit serb, është sulm ndaj të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara nga viti 1999.
“Në secilin prej atyre akteve, është e drejtë e Serbisë të financojë aktivitete të caktuara, shëndetësi, arsim, pensione”, ka thënë Vuçiç të premten në një konferencë për media, shkruan REL.
“Fatkeqësisht, Albin Kurti e ka marrë atë vendim me iniciativën e tij, me qëllimin e mëposhtëm: spastrim etnik të popullit serb nga territori i Kosovës dhe Metohisë”, ka thënë Vuçiç, duke iu referuar kryeministrit të Kosovës.
Më 1 shkurt, në Kosovë ka hyrë në fuqi rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), që përcakton se euroja është valuta e vetme me të cilën mund të kryhen pagesa me para të gatshme.
Vendimi ka hyrë në fuqi, pavarësisht thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar për shtyrjen e afatit të zbatimit.