Pëllumb Meta ishte baba i 4 fëmijëve, më i madhi 25 vjeç. Ishte pikërisht ky i fundit i cili 10 ditë më parë, shkoi në policinë e Durrësit për të denoncuar zhdukjen e të atit.

Këtë të premte, policia njoftoi se e kishte gjetur 50-vjeçarin, të vrarë e të varrosur në shtëpinë e familjes, në fshatin Shënavlash. Si autore të dyshuar, autoritetet vunë në pranga vajzën e tij 19-vjeçare, Hygerta Meta. Ajo e ka pranuar krimin dhe si motiv ka dhënë faktin se i ati donte ta fejonte pa dëshirën e saj dhe për shkak të konflikteve të vazhdueshme familjare.

Por përveç arrestimit të Hygertës, në polici mësohet se janë shoqëruar edhe bashkëshortja e viktimës së bashku me dy djemtë e tjerë të çiftit. Kjo pasi siç raporton gazetarja Enkeleda Arapi, hetuesit dyshojnë se ata mund të jenë të implikuar në këtë ngjarje. Gazetarja thotë se 19-vjeçarja e ekzekutoi të atin me pistoletë dhe se në momentin kur ndodhi krimi, në shtëpi kanë qenë edhe pjesëtarë të tjerë të familjes Meta.

Edhe policia, në njoftimin e saj për mediat, tha se “grupi i posaçëm hetimor po vijon hetimet e thelluara për të identifikuar dhe vënë përpara përgjegjësisë ligjore, shtetas të tjerë të implikuar në këtë ngjarje

Sa i takon kohës kur mund të jetë vrarë 50-vjeçari, pritet që kjo të përcaktohet nga ekspertiza mjeko-ligjore. Të paktën sipas të dhënave zyrtare, Pëllumb Meta u denoncua i zhdukur mbrëmjen e 13 Shkurtit. Që do të thotë se ai me gjasë është vrarë përpara kësaj date.