Kreu i SPAK Altin Dumani ka raportuar në KLP për aktivitetin e Prokurorisë së Posaçme përgjatë vitit 2023. Gjatë fjalës së tij Dumani nënvizoi se numri i prokurorëve që aktualisht është 20, është i mjaftueshëm, duke theksuar se do të duhet të ketë një shtim të numrit të hetuesve.
Gjithashtu kreu i SPAK sqaroi se duhet të ketë një ndryshim ligjor, në mënyrë që të rritet kufiri për korrupsionin, pasi SPAK është i ngarkuar me çështje.
“Numri prej 20 prokurorësh është në rregull. Por duhet ndryshim ligjor që të rritet kufiri për korrupsionin, nga 50 mijë lekë që është momentalisht. Në mënyrë që kufiri monetar të jetë më i lartë. Por këtë duhet ta vendose ligjvënësi. Ky kufi monetar që kemi nuk më duket i arsyeshëm. E shoh si emergjent. Në rastet kur ka korrupsion mbi 50 mijë lekë të hetohen nga SPAK, ndërsa poshtë këtij kufiri të hetohet nga Prokuroritë e zakonshme. Kjo vlen që puna e SPAK të mos ngarkohet”, tha ai.