Policia e Tiranës ka dalë me një deklaratë zyrtare lidhur me dhunimin ndaj avokatit Sokol Mëngjesi.
Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj deklaroi se Mëngjesi është goditur për shkak të detyrës, pasi ai po përfaqësonte ligjërisht një familje, e cila kishte trashëguar një pronë në kryeqytet.
Një nga autorët, Dorian Aliaj, i cili dyshohet se është organizatori, u vetëdorëzua. Vocaj shtoi se policia ka vendosur në dispozicion 20 mijë euro për çdo informacion që do të çojë në kapjen e autorëve të tjerë.
“Rezulton se Sokol Mëngjesi me profesion avokat, është goditur për shkak të detyrës. Avokati ka përfaqësuar ligjërisht një familje e cila kishte të trashëguar një pronë në qytetin e Tiranës. Disa nga trashëgimtarët nuk kanë pranuar të nënshkruajnë aktet ligjore. Vazhdohet operacioni për kapjen e personave të shpallur në kërkim. Për çdo informacion, 20 mijë vihen në dispozicion. Tani është vetëdorëzuar Dorian Beqir Aliaj”, tha Tonin Vocaj.
Ai tha se autorët kanë lidhje familjare më njëri-tjetrin (krushqi), ndërsa shtoi se shkak i dhunës është bërë prona e një familje që avokati ka marrë në mbrojtje.
“Nuk mendojmë se autorët janë të paguar, por janë në lidhje krushqie më njëri tjetrin. Pas ngjarjes autorët janë ndarë dhe kanë lëvizur në dy drejtime. Një palë kanë shkruar në drejtim të zonës së Astririt. Avokati ka përfaqësuar një palë që ka fituar procesin gjyqësor. Pala fituese nuk ka respektuar detyrimet ligjore me studion ligjore.”, theksoi ai.