Finalizohet operacioni i koduar “Next”. Katër persona kanë rënë në pranga pasi tentuan të kalonin 35 755 euro të padeklaruara. Nga policia janë arrestuar Denis Menelli, Agim Idrizi, Tritan Biba dhe Frenki Fezo.
Sipas policisë 2 prej shtetasve të arrestuar ishin drejtues të autobusit ku kishin fshehur paratë.
“Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar për kontroll autobusin me drejtues shtetasin Denis Menelli. Gjatë kryerjes së kontrollit nga Policia, ky shtetas ka zbritur nga autobusi dhe i ka dhënë një shumë parash, një shtetasi që udhëtonte me një automjet tjetër. Nga veprimet hetimore dyshohet se Denis Menelli (shoferi i parë i autobusit) dhe shtetasi Agim Idrizi (shofer i dytë i autobusit), po tentonin të fusnin në Shqipëri, një shumë të madhe eurosh, të cilën me qëllim shmangien e deklarimit para autoriteteve doganore, e kishin ndarë në disa pjesë, për t’ua dhënë shtetasve Tritan Biba dhe Frenki Zenko të cilët udhëtonin me një automjet tjetër. Gjatë kontrollit fizik ndaj këtyre shtetasve dhe kontrollit në autobus, shërbimet e Policisë gjetën 35 755 euro dhe 70 franga, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”, thuhet në njoftimin e policisë.
Sakaq materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për vëprime të mëtejshme, për veprën “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.