Vatra e zjarri në pikën e grumbullimit të mbeturinave në Përmet është riaktivizuar. Flakët kanë nisur gjatë fundjavës dhe mëngjesin e sotëm duke shkaktuar tym kancerogjen që përthithet nga banorët e fshatit Piskovë. Këta të fundit kanë dyshime se ishin vetë punonjësit e Bashkisë së Përmetit ata që i kanë vendosur zjarrin mbeturinave, por më vonë ju ka dalë jashtë kontrollit.
Situata është kritike pasi po digjen të gjitha mbeturinat e depozituara në landfillin e Piskovës ku prej vitit të kaluar është shndërruar në vendgrumbullimin e mbeturinave të gjithë Bashkisë së Përmetit.
Sipas kryeplakut të fshatit Arlind Dyrmishi në vendngjarje nuk kanë shkuar forcat zjarrfikëse ndonëse ishin lajmëruar prej tij personalisht për të bërë të mundur shuarjen e flakëve. Ai është shprehur se do të depozitojë në SPAK këtë çështje me aktorë tashmë të njohur të pushtetit vendor e qëndror, ndërsa ka hedhur akuza ndaj ministres Mirela Kumbaro./dosja.al