Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet për privatizimin e ish-kompleksit Partizani. Kreu i PD-së, Sali Berisha do të paqitet të mërkurën në SPAK për firmosjen e dokumenteve. Së bashku me mbylljen zyrtare të hetimeve, të pandehurit do të marrin edhe të gjitha aktet përfundimtare.
Berisha bashkë me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi janë marrë të pandehur lidhur me çështjen, ndërsa të dy ndodhen nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”. Ata akuzohen për veprën penale “korrupsion pasiv kryer në bashkëpunim”.
Biznesmenit Fatmir Bektashi, po ashtu iu komunikua akuza “korrupsion aktiv” dhe “pastrim parash”. Akuza e “pastrimit të parave” iu komunikua edhe Xhimi Begeja, si dhe financieres Andia Pustina, ortakë dhe lidhje në veprimtari procedurash me Malltezin. Lideri i opozitë dhe dhëndri i tij e kanë cilësuar procesin si politik dhe akuzat ndaj tyre si të sajuara nga “prokurorë që janë në urdhërat politike të Edi Ramës”.