I braktisur si shumica e fshatrave të tjerë në juglindje të vendit, Grunjasi duket se po përjeton një rilindje të dytë.

Ka mjaftuar vetëm një rrugë që lidh këtë fshat me qytetin e Pogradecit dhe banorët e dikurshëm, po i rikthehen vendlindjes, raporton A2.

Ata që qëndruan besnik të vendlindjes tregojnë se si ka qenë jetesa në këtë fshat. “Këtu prodhohej grurë, ndaj i thonë Grunjas këtu, sa erdhën për eksperiment nga e gjithë Shqipëria, se bëmë shumë kujtalë sipas planit që kishim”, tha për A2 CNN një nga banorët e zonës.

Një nga të rinjtë e zonës tregon se ka lënë emigrimin për shkak të kërkesave të shumta që ka në fshat për ndërtime me gurë, përcjell A2.

“Ka shumë që po kthehen. Bile unë kam gati dy muaj që jam kthyer nga Kroacia. Kam qenë pothuajse i përditshëm në punë. Kam patur shumë kërkesa vetëm për punë guri që janë kthyer këtu.”

Ndërsa banorët e dikurshëm dhe tashmë të rikthyer shprehen optimistë për të ardhmen e fshatit të tyre.

“U mblodhëm katër vëllezër që të investojmë në shtëpinë që na ka lënë babai dhe po e bëjmë të re. Kush ngul një gozhdë në vendlindje, në shtëpinë që i ka lënë babai, unë mendoj do ketë një të ardhme për nipër e mbesa. Kjo është e ardhmja dhe për fshatin.”

“Duke menduar rikthimin tim dhe zhvillimin e fshatit, kam menduar të bëj një tip bujtine.”

Dhe shenjat e para janë pozitive që zona po preferohet edhe nga turistët.

“Është shumë e rëndësishme që tashmë ka filluar turizmi malor normal. Ka rreth një vit që ne presim e përcjellim çdo ditë turistë të huaj dhe vendas.”

Grunjasi është një nga shembujt pozitivë se një investim i vogël mund të rigjallërojë zonat rurale, të cilat të lëna prej vitesh në harresë janë shpopulluar dhe shkretuar