Dy persona janë arrestuar në Tiranë, pasi dyshohen se kanë grabitur një shumë parash nga një market.

Si rezultat, gjatë operacionit policor të koduar “Kasaforta”, u identifikuan dhe arrestuan dy autorët e dyshuar, shtetasit:

– R. S., 21 vjeç, banues në Pukë, për veprat “Vjedhja” me pasoja të rënda, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga nenet 134/3-25 dhe 278/1 të Kodit Penal;

– A. P., 36 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Vjedhja” me pasoja të rënda, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 134/3-25 i Kodit Penal.

U sekuestrua një armë zjarri pistoletë me krehër me municion luftarak, që u gjet në banesën e njërit prej tyre dhe gjithashtu edhe një pjesë e parave të dyshuara të vjedhura dhe veshjet e përdorura nga autorët gjatë vjedhjes.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në fushën e vjedhjes së pronës, për identifikimin e autorëve të vjedhjeve dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore, pas kallëzimit të depozituar nga një shtetas, se dy shtetas të paidentifikuar i kishin vjedhur një shumë parash në kasafortën e biznesit të tij, në Rrugën e Dibrës, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, menjëherë kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta dy shtetas, më datë 21.10.2024, pas mesnate, kanë vjedhur 1 500 000 lekë në kasafortën e një marketi në Rrugën e Dibrës.

Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit R. S., autoritetet kanë gjetur të groposur 1 armë zjarri pistoletë, me krehër me municionin luftarak, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me një pjesë të parave të dyshuara të vjedhura dhe veshje që autorët kanë përdorur gjatë vjedhjes.

Top Channel