Kryetari i PD, Sali Berisha po zhvillon takim me drejtuesit e qarqeve në selinë e PD.
Berisha: E thirra këtë takim me ju, për të ju përgëzuar për punën që keni nisur dhe zhvilluar në mënyrë që të konkretizohet me sa më shumë sukses, vota e shqiptarëve jashtë vendit, si një dimension themelor i këtij procesi elektoral.
Po të kemi parasysh faktin se, votues shqiptarë janë më shumë jashtë se sa brenda, atëherë është një mision i vërtetë, angazhimi ynë për të krijuar çdo lloj lehtësimi dhe mundësie, që këta mbi 1 milionë e gjysëm votues që ndodhen jashtë, qytetarë shqiptarë me të drejtë vote që ndodhen jashtë, të mund të shprehin vullnetin e tyre politik, për kandidatët, kandidatet, forcat politike që ata u besojnë.
Në këtë aspekt, roli juaj është shumë më i madh dhe i PD.
Ndërkohë dua të ju njoftoj se përfaqësuesit tanë, në të gjitha proceset dhe takimet po bëjnë gjithçka për të garantuar një proces, jo përjashtues siç e do narkoqeveria, por një proces ku shqiptarët kudo që janë, me çdo dokument identiteti si shqiptar, të mund të shprehë vullnetin e tij.
Ecuria në rrafshin zyrtar dhe burokratik, nuk është ajo që duhet të ishte, duhej të ishte më e shpejtë, por natyrisht Edi Rama përpiqet, një akt që nuk e ka dashur kurrë, bën gjithçka për ta sabotuar.
Ne qëndrojmë të hapur dhe të vendosur për çdo vendim që mundëson votën masive, pa diskrimimin të qytetarëve tanë shqiptarë, kudo që janë.
Këta, siç mund ta shifni janë në një kaos të vërtetë.
Janë në panik të madh se ora e të vërtetës po afron, dhe ora e të vërtetës është dita e zgjedhjeve. Mirëpo vjedhjet e paimagjinueshme që kanë kryer, lidhjet me mijëra e mijëra fije me organizatat më agresive, kriminale, në Shqipëri, Europë dhe botë, e bën PS-në, që i ka ngelur vetëm emrin Socialiste se nuk ka absolutisht asgjë socialiste, pra këtë grup, ta quajmë të Edi Ramës, e bën një nga organizatat shtetërore më të rrezikshme, më kriminale në planet.
Nuk kemi të bëjmë me një organizatë kriminale siç është ajo e Partisë Komuniste të Koresë së Veriut, por kemi të bëjmë me një organizatë mafioze që nuk gjindet në asnjë planet tjetër.
Shkon sot deputetët në parlament, prishin seancën se nuk mund të japë shpjegim para qytetarëve për vrasjen në gjirin e shkollës të 14-vjeçarit dhe agresojnë, me program, me projekt, agresojnë deputeten tonë, në mënyrë se si e si, të sabotojnë, braktisin parlamentin, luftë se kush duhet të jetë kryetare parlamenti, do të jetë Lubia aty, apo Pëllumbesha Spirogjoka.
Pra janë në një panik dhe e vërteta është, që edhe më shumë do jetë.
Çdo ditë, shqiptarët do të mësojnë shumë e shumë për krimet ku këta janë të përfshirë. Çdo ditë.
Pra në këtë aspekt një punë intensive kërkohet nga ne, duke mos harruar kurrë se ngroftësinë e takimit dhe bisedës dhe të baltës në këpucë duke trokitur tek dera e tjetrit, nuk e zëvendëson kurrë akulli i ekranit.
Prandaj dhe ne duhet të ndërmarrim atë që kemi kërkuar dhe kemi thënë në mënyrë të përsëritur, miriadën e takimeve me qytetarët.
Miriadë takimesh me qytetarët, ku ti qartësojmë, ti saktësojmë, në radhë të parë programin tonë, programin e emergjencës, i cili ju garantoj se është 100% i realizueshëm dhe pastaj ne do të shpalosim dora dorës, programin për sektorët, programin në tërësi.
Do të jetë një program që do të ju japë përgjigje më të vendosur jo vetëm problemeve të akumuluara, por problemeve të perspektivës se ne qëndrojmë për zhvillimin, qëndrojmë për të ardhmen. Pra, është i një rëndësie të pazëvendësueshme takimi me qytetarët.
Unë i kam ndjekur dhe kam vlerësim shumë. Takimet duhet ti kemi në dimensione njerëzore. Familje, 5 vetë, 10 vetë. Mos mendoni ju, se ato kanë efekt sa vetë salla. Sepse ato përhapen njëlloj si rrathët e ujit.
Kështu që të mos lodhemi, e kam fjalën me këto takime që janë të pazëvendësueshme.
Paraqesim programin, por natyrisht edhe qëndrojmë, edhe u bëjmë radiografinë këtij pushteti dhe këtyre qeveritarëve që në absolute nuk i lidh asgjë me qytetarët, përveç vjedhjeve ditë e natë që u bëjnë atyre.
Urdhëro prishin seancën në një kohë kur e gjithë Shqipëria u trondit shumë me të drejtë, nga një vrasje në shkollë, në vendin më të sigurtë pas shtëpisë, për fëmijët. Imagjinoni se çfarë denatyrimi kanë këta njerëz, që në vend se me kokulur, apo shiko çfarë hipokritësh janë.
Top Channel