Home AKTUALITET Arrestimi i efektivit të RENEA-s me 1 kg kokainë, reagon zyrtarisht policia:...

Arrestimi i efektivit të RENEA-s me 1 kg kokainë, reagon zyrtarisht policia: U kapën në rrugën e vjetër në zonën e Ndroqit (Çfarë iu gjet në makinë)

14

Policia e Shtetit ka reagua në lidhje me arrestimin e efektivit të RENEA-s Xhuljo Liçi, të cilit iu sekuestrua një sasi rreth 1 kg kokainë.

Në njoftimin publik bëhet me dije se efektivi u ndalua në rrugën e vjetër Tiranë-Durrës në zonën e Ndroqit, së bashku me shtetasit Ded Nimani 62-vjeç dhe Luan Gaçi 43-vjeç.

Në bazë të informacioneve të grumbulluara në rrugë operative nga ShÇBA, kishte dyshime të arsyeshme se efektivi i RENEA-s ishte pjesë e një grupi të trafikut të drogës, ndaj dhe u bë mbikqyrja e tij për një kohë të gjatë, për ta kapur në flagrancë.

Në cilësinë e provës materiale u sekeustrua lënda narkotike me peshë totale 1 kilogramë e 88 gramë, dy automjete, pesë aparate celular dhe një armë zjarri pistoletë me municion luftarak.

Njoftimi i plotë i policisë: Tiranë

Finalizohet operacioni policor antidrogë i koduar “BARON”

Operacioni nga Seksioni për Hetimin e   Narkotikëve në DVP Tiranë.

Sekuestrohet 1 kilogramnë e 88 gramë lëndë narkotike Kokainë.

Vihen në pranga tre persona.

Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme  kundër veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikeve Specialistët e Seksionit për Hetimin e narkotikëve në DVP Tiranë , bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “BARON”, në kuadër të të cilit u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit:

L.G, 43 vjeç, banues në Vorë, XH.L, 28 vjeç (punonjës policie)  banues në Fier dhe D.N, 62 vjeç, banues në Tiranë, me precedent të mëparshëm penal në fushën e narkotikëve.

Mbi bazën e informacioneve të marra nga Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve  në DVP Tiranë se shtetasit D.M dhe L.G, në bashkëpunim me njëri-tjetrin  merreshin me veprimtari kriminale  në fushën e narkotikëve konkretisht duke blerë kokainë në sasi 1 deri në 2 kilogramë,  dhe më pas duke e shitur atë në zona të ndryshme të Tiranës ,si dhe në kufi me qarkun e Durrësit me qëllim shmangien e prezencës policore, kanë organizuar punën duke i mbajtur nën vëzhgim.

Në aksin rrugor  Tiranë -Durrës, rruga e vjetër në zonën e Ndroqit , shtetasi XH.L dhe D.N, janë kapur në flagrancë së bashku me shtetasin L.G, me një pako lëndë narkotike Kokainë.

Në cilësinë e provës materiale u sekeustrua lënda narkotike me peshë totale 1 kilogramë e 88 gramë, dy automjete, pesë aparate celular dhe një armë zjarri pistoletë me municion luftarak.

Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i  kaluan Prokurorisë  së rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme për veprën penale “Prodhim dhe shitja e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim.