Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin A. R., për veprën penale ‘Ngacmim seksual’ dhe ‘Keqtrajtimi i të miturit’.

Hetimet nisën pas shqyrtimit të kërkesës së shtetases B.R., ndaj bashkëshortit të saj në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier me objekt lëshimin e urdhrit të mbrojtjes. Në përfundim, gjyqtari i çështjes ka vlerësuar se faktet e referuara nga kjo shtetase përmbajnë elementë të veprës penale dhe për këtë shkak ka bërë referimin përkatës në prokurori.

Pas administrimit të referimit përkatës, organi i akuzës në bashkëpunim me policinë gjyqësore, ka arritur të provojë se në periudha të ndryshme, shtetasi A. R. ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij si dhe ka kryer veprime aktive ndaj të miturës R. Ç.,  (fëmijës që shtetasja A. R., kishte nga martesa e parë), që konsistojnë në keqtrajtimin vijues të saj dhe kanë avancuar në veprime që kanë natyrë të ngacmimit seksual të saj.

Pas kryerjes së veprime hetimore të plota, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka dërguar për gjykim kërkesën penale ndaj shtetasit A. R., për veprën penale “Dhuna në familje” në dëm të shtetases B. R., “Ngacmimi seksual” dhe  “Keqtrajtimi i të miturit” në dëm të miturës R. Ç.