Erion Murataj PSD

Autoritetet në Algjeri iu kanë dhënë afat 48 orë 12 anëtarëve të stafit diplomatik të ambasadës franceze, njofton ministria e Jashtme.

Marrëdhëniet mes Francës dhe Algjerisë janë tensionuar sërish pas arrestimit të tre shtetasve algjerianë në Francë, përfshirë një zyrtar konsullor, të akuzuar për përfshirje në rrëmbimin e Amir Boukhors (i njohur si Amir DZ), kritik i qeverisë algjeriane dhe përfitues i azilit politik në Francë.

Ministri francez Jean-Noël Barrot i bëri thirrje Algjerisë të ndalojë menjëherë veprimet e tilla, duke paralajmëruar se Franca është e gatshme të përgjigjet.

Boukhors u rrëmbye në prill në periferi të Parisit nga persona që pretendonin të ishin policë dhe u lirua të nesërmen. Ai ka qenë më parë objekt i disa sulmeve dhe përballet me nëntë urdhër-arreste ndërkombëtare të lëshuara nga Algjeria, të cilat ai i mohon.

Franca refuzoi ekstradimin e tij në vitin 2022, ndërsa rasti ka shtuar përçarjen mes dy vendeve, të tensionuar edhe nga çështje të tjera diplomatike, përfshirë mbështetjen e Francës për Marokun dhe arrestimin e autorit franko-algjerian Boualem Sansal në Algjeri.

Algjeria ka kërkuar largimin e 12 zyrtarëve francezë nga vendi, duke përfshirë edhe anëtarë të Ministrisë së Brendshme franceze.