Erion Murataj PSD

Parlamenti serb ditën e sotme ka miratuar qeverinë e re. Pas dorëheqjes së Milosh Vuçeviç, kryeministër është zgjedhur Gjuro Macut. Vendimi u votua me 153 vota pro, 46 kundër dhe me mungesën e 51 deputetëve në sallë.

Macut gjatë fjalës së tij në Kuvend nuk ka harruar të përmend edhe Kosovën duke pretenduar se Serbia do të vazhdojë të jetë aktor konstruktiv në këtë çështje.

Ai theksoi para ligjvënësve se Beogradi nuk do të pajtohet me zgjidhje që nuk janë në përputhje me Kushtetutën e vendit dhe me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Macut shtoi se zbatimi i Kushtetutës nënkupton edhe që Kosova dhe Vojvodina janë pjesë përbërëse e territorit të Serbisë.

“Kosova mbetet çështje qendrore e interesit më të lartë kombëtar dhe ruajtja e integritetit territorial dhe sovranitetit është një nga prioritetet më të rëndësishme të politikës së jashtme”, tha ai.