
Një mësues 55 vjeçar është arrestuar nga policia i akuzuar për ngacmim seksual ndaj nxënësve të mitura.
Sipas korrespodentes së Top Channel, Bruna Kërçyku, mësuesi i Histori Gjeografisë, baba i tre fëmijëve, dyshohet se ka ngacmuar me fjalë, por edhe me prekje 14 vjeçaret në ambientet e shkollës.
Veprimet e rënda janë vënë re nga kolegët e tij të cilët më pas e kanë referuar ngjarjen në drejtorinë e shkollës.
Ka qenë drejtori i shkollës ai që ka denoncuar në polici 55 vjeçarin Fatmir Hoxha.
Ky i fundit sapo ka mësuar hetimet ndaj tij ka tentuar të arratiset, por është ndaluar nga efektivët në aeroportin e Rinasit.
Ndërkohë policia ka marrë në pyetje nxënëset në prani të psikologut të cilat janë në gjendje të rënduar psikologjike. Nga ana tjetër gjatë marrjes në pyetje prindërit e vajzave kanë deklaruar se nuk kanë pasur dijeni për ngjarjen.
Gjatë veprimeve të para hetimore gjithashtu është marrë në pyetje mësuesi 55 vjeçar i cili ka mbajtur qëndrim mohues ndaj akuzave ndërkohë është shprehur se po largohej nga Shqipëria për çështje personale.
Prokuroria tashmë ka nisur hetimet e mëtejshme për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.
