Një operacion i përbashkët mes autoriteteve shqiptare dhe italiane po zhvillohet këtë të mërkurë në disa qytete të vendit, përfshirë Tiranën, Durrësin, Fierin dhe Vlorën, në kuadër të hetimeve për trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash.

Operacioni i koduar “Ura” është fokusuar në goditjen e një rrjeti të strukturuar kriminal që dyshohet për trafik heroine dhe kokaine nga Ballkani drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se janë lëshuar 52 urdhër-arreste në Shqipëri dhe Itali me akuzat për trafik droge, shpërdorim detyre dhe pastrim parash ndërsa janë sekuestruar pasuri me vlerë miliona euro.

Në aksionin e shtrirë në disa qytete marrin pjesë forcat e rendit, agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), si dhe përfaqësues të antimafias italiane.

Sipas mediave italiane, në listën e urdhër-arresteve ka edhe punonjës policie, avokatë dhe emra të njohur të botës së krimit, të dyshuar për përfshirje në rrjetin e trafikut dhe për shpërdorim detyre.

Një urdhër arrest është lëshuar edhe ndaj Ervis Doçin, i njohur në Durrës si “Visi i Pojës” në kuadër të operacionit antidrogë mes Italisë dhe Shqipërisë.

Ndërkohë, mësohet se deri tani janë arrestuar tre persona në Fier, Vlorë dhe Durrës, ndërsa burimet bëjnë me dije se në këtë operacion janë implikuar njerëz të rëndësishëm në botën e krimit.

Po ashtu urdhër-arreste është dhënë edhe për një avokat në Durrës, për një ish punonjës policie si dhe për një person të identifikuar si Orges Molla.

Gjithashtu burimet mediatike raportojnë se në kuadër të operacionit të përbashkët Shqipëri-Itali është ndaluar edhe Ligor Çombashi, pronar i agjencisë së udhëtimit “Ligori Travel”.

Detaje të tjera mësohen në lidhje me operacionin e zhvilluar në Shqipëri dhe Itali kundër trafikut të lëndëve narkotike.  

Burime bëjnë të ditur se masë sigurie është dhënë edhe ndaj avokatit Armand Tragaj në Durrës.

Hetimet po udhëhiqen nga Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK), në bashkëpunim me autoritetet italiane dhe Europol-in.

Operacioni “Ura” parashikon ekzekutimin e vendimeve për sekuestrimin e pasurive në Shqipëri dhe në Itali, që përfshijnë pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, me një vlerë prej disa miliona eurosh, si dhe urdhra për arrest me burg, të lëshuara nga gjyqtari hetues i Barit dhe nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Tiranë, ndaj 52 personave të dyshuar për përfshirje në trafik ndërkombëtar të sasive të mëdha të lëndëve narkotike, pastrim parash dhe shpërdorim detyre.

Në orën 10:30 në një konferencë të përbashkët për shtyp mbi detajet e operacionit Ura do të jetë kreu i SPAK Altin Dumani e Kryeprokurori i Barit Roberto Rossi, Drejtori i Antimafias italiane Gjeneral Michele Carbone e përfaqësuesi për Eurojust për Italinë Gianluca Forlani.

Kush është Ervis Doçi?

Ervis Doçi, apo i njohur me nofkën “Visi i Pojës” është një personazh me “emër” për drejtësinë shqiptare. Një vit më parë në banesën e këtij shtetasi u zhvilluan kontrolle ndërkohë që SPAK lëshoi dhe një urdhër-arrest. Në kuadër të këtij operacioni asokohe blutë sekuestruan në cilësinë e provës materiale rreth 3 milionë euro cash vetëm në banesën e Ervis Doçit.

Ndërkohë që emri i tij është lakuar në shumë ngjarje kriminale që kanë tronditur vendin tonë. Sakaq, jo më larg se disa javë më parë edhe ish-kryeministri Berisha në daljet e tij televizive i ka bërë thirrje Doçit që të distancohej nga zgjedhjet pasi ashtu si kyredemokrati pretendonte po kërcënon qytetarët.