Gjykata e Apelit ka ndryshuar dënimin për ish-gjyqtarin e lartë Guxim Zenelajn që u dënua nga shkalla e pare me 1 vit  shërbim prove për akuzën e  fshehjes se  pasurisë. Apeli vendosi ta dënojë Zenelajn me 100 orë pune në shërbim të komunitetit.

Sipas SPAK ai akuzohet për veprën penale të “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, kryer në formën e deklarimit të rremë. Ai u tërhoq nga sistemi i drejtësisë përpara se  të përballej me procesin e vettingut. Por në fund ai u përjashtua për 15 vite nga sistemi i drejtësisë sipas parashikimeve të ligjit.

Njoftimi i plotë i Prokurorisë:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Igerta Hysi (kryesuese), Tereza Merkaj (anëtare) dhe Iliriana Olldashi (anëtare),  më datë 26.06.2025, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 38 akti, datë 06.05.2025 regjistrimi, mbi ankimin e paraqitur nga ankuesi G.Z., ndaj vendimit nr. 26, datë 17.03.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi:

  1. Lënien në fuqi të vendimit nr. 26, datë 17.03.2025, të Gjykatës së Posaçme Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me këtë ndryshim:
  • Në zbatim të nenit 63 të K.Penal urdhërohet:
  • Pezullimi i ekzekutimit të vendimit të dënimit me burgim,
  • Zëvëndësimi i dënimit me burgim me detyrimin e të denuarit G.Z. për të kryer një punë në interes publik, për një kohë prej 100 orësh.
  • Puna në interes publik, të kryhet nga i dënuari brenda gjashtë muajve, duke filluar ky afat nga dita e ekzekutimit të këtij vendimi.
  • Detyrohet i dënuari G.Z. të kryejë llojin e punës, në vendin e kryerjes së saj dhe në ditët përkatëse të javës, sipas përcaktimeve të Zyrës Vendore të Shërbimit të Provës Tiranë.
  • Detyrohet i dënuari G.Z. të mbajë kontakte me Zyrën Vendore të Shërbimit të Provës Tiranë.
  1. Shpenzimet gjyqësore edhe të gjykimit në apel, i ngarkohen të pandehurit G.Z.
  2. Kundër vendimit mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë, brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi.

U shpall në Tiranë, më datë 26.06.2025.