Cërrik
Arrestohet në Cërrik 55-vjeçari për dhunë ndaj ish-bashkëshortes
Mbrëmjen e kësaj të Marte, policia e Cërrikut ka arrestuar shtetasin Kastriot Omeri, 55 vjeç, banues në lagjen Malasej, pas një denoncimi për dhunë në familje. Sipas burimeve jo zyrtare, Omeri dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj ish-bashkëshortes së tij, shtetases Anita Toska, 51 vjeçe.Ngjarja ka ndodhur pasditen e sotme në oborrin e banesës ku viktima jeton në lagjen numër 2 të qytetit. Dhuna dyshohet të jetë ushtruar për motive të dobëta, ndërsa menjëherë pas denoncimit është lëshuar edhe një urdhër mbrojtjeje në favor të gruas.Policia ka marrë masat e menjëhershme për ndalimin e autorit dhe po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Autoritetet policore nxisin qytetarët të denoncojnë çdo formë dhune, duke garantuar se rastet do të trajtohen me seriozitetin dhe urgjencën që kërkojnë.