Policia e Sarandës ka zbardhur dhe identifikuar autorët e sherrit të dhunshëm ditën e djeshme në Sarandë.
Sherri i dhunshëm u regjistrua ditën e djeshme në një parkim në lagjen 4 të qytetit bregdetar ku mbetën të plagosur rëndë nënë e bir, N.A., dhe E.A., ndërsa sot janë arrestuar autorët të cilët janë dy vëllezërit Romeo dhe Fabion Laze.
Vëllezërit Laze, ‘’problematikët’’ e Sarandës janë pronarë të një lavazhi. Edhe pse në konflikt u përfshinë 6 persona, rezulton se Romeo dhe Fabion kanë qenë ata që kanë goditur me grushte dhe sende të forta nënë e bir.
Nënë e bir u goditën me grushte, shkopinj e sende të forta, duke marrë plagë të rënda. Ata u transportuan me autoambulancë drejt Spitalit të Sarandës ku morën dhe ndihmën e parë.
Edhe pse me plagë dhe goditje të shumta në kokë e trup, fatmirësisht janë jashtë rrezikut për jetën.
Policia shoqëroi fillimisht 4 persona, ndërsa pas hetimeve arrestoi në flagrancë dy prej tyre për veprën penale “plagosje e rëndë me dashje në bashkëpunim”.
Ata janë Romeo Laze 45 vjeç dhe Fabion Laze 39 vjeç, persona me precedentë të shumtë penalë. Në maj 2011, vëllezërit Laze janë akuzuar për plagosjen me sende të forta të dy vëllezërve Avdiu. Në tetor 2014, Fabion Laze është arrestuar për “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”.
Në dhjetor 2015, Romeo Laze është arrestuar për “dhunë në familje” dhe “dëmtime të tjera me dashje”. Në gusht 2021 Romeo Laze është arrestuar për “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”. Në shkurt 2025, Prokuroria e Sarandës sekuestroi 2 pasuri, 2 automjete dhe 1 biznes të Romeo Lazes. Ndërkohë Fabion Laze rezulton me precedentë penalë në fushën e narkotikëve edhe jashtë shtetit.