Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vëngu ka folur për situatën e krijuar nga moti i keq në vendin tonë.

Vengu u shpreh se situata më e rëndë paraqitet në bashkitë Lezhë, Kurbin, Durrës dhe Krujë, aty ku janë dislokuar emergjencat dhe Forcat e Armatosura.

Aktualisht, 50 banesa janë prekur nga uji në këto zona, teksa vetëm një prej tyre u evakuuar. Ministri shtoi se strukturat do të qëndrojnë në gatishmëri deri në 22 nëntor.

Në Thumanë kishte një situatë komplekse me stabilitetin e argjinaturave, por falë ndërhyrjeve kemi një situatë më të stabilizuar. Kemi forca në terren dhe siç kemi parë kemi një front që e prisnim që të vijonte në Kurbin dhe Lezhë, por prurjet kanë krijuar efekt në Krujë dhe Durrës. Forcat janë shpërndarë në të gjitha akset e vendit. Kompanitë e mirëmbajtjes janë në gatishmëri dhe do qëndrojnë gjatë gjithë mbrëmjes. Vijon menaxhimi i kaskadës së Drinit. Lezhë, Kurbin, Durrës dhe Krujë, këto janë 4 bashkitë ku jemi fokusuar momentalisht. Ujërat kanë depërtuar në disa banesa. 50 banesa janë prekur nga uji, nuk ka evakuime. Një familje është evakuuar në Kurbin. Kemi dislokuar FA që të jenë pranë banorëve.

Situata ishte paralajmëruar dhe një pjesë e mirë e bashkive kanë reaguar në kohë. Pjesa më e madhe e zonave urbane kanë rezistuar. Janë hapur kanalet kulluese, kolektorët dhe kjo ka ndihmuar shumë. Në Laç kemi përqendrimin më të madh të FA. Në qarkun e Vlorës dhe Gjirokastër ka pasur probleme me erën. Ka pasur pezullim të aktivitetit portual. Në veri pjesa portuale ka vijuar normalisht. Kemi një situatë në Bistricë, që ka pasur impakt në Finiq. Gjendja e alertit do të vijojë deri më 22 nëntor”, tha Vengu për në A2 CNN.