Qeveria e Senegalit ka vendosur të shpërblejë në mënyrë madhështore kombëtaren e futbollit pas triumfit historik në Kupën e Afrikës, e dyta në historinë e vendit. Presidenti Bassirou-Diomaye Faye priti “Luanët e Terangës” në Pallatin e Republikës dhe njoftoi shpërblime financiare dhe materiale që tregojnë vlerësimin maksimal të shtetit për suksesin kontinental.
Çdo lojtar i kombëtares do të përfitojë 75 milionë franga CFA, që përkthehen në rreth 115 mijë euro, si dhe një truall prej 1.500 metrash katrorë në zonën e njohur bregdetare të Petite-Côte, në jug të Dakarit. “Ia dorëzova secilit prej Luanëve të pranishëm 75 milionë franga CFA”, deklaroi presidenti Faye, duke shtuar se edhe drejtuesit e Federatës Senegaleze të Futbollit dhe anëtarët e delegacionit do të shpërblehen me shuma monetare dhe parcela më të vogla toke.
Gjithashtu, Ministrisë së Sportit i janë akorduar 305 milionë franga CFA, afro gjysmë milioni euro, për të organizuar dhe kurorëzuar festimet e suksesit afrikan. Nderimet nuk u ndalën vetëm te shpërblimet materiale: trajneri Pape Thiaw dhe e gjithë skuadra u dekoruan me titullin Komandant i Urdhrit Kombëtar të Luanit, dekorata më e lartë shtetërore në Senegal.
Festimet pushtuan gjithë kryeqytetin Dakar. Lojtarët parakaluan në rrugët e qytetit me autobus të hapur, të zbukuruar me ngjyrat kombëtare, jeshile, e kuqe dhe e verdhë, të shoqëruar nga mijëra tifozë mes këngëve, valleve dhe ritmeve tradicionale. Kapiteni Sadio Mané dhe bashkëlojtarët ndanë gëzimin me popullin, ndërsa presidenti i cilësoi si “heronj” për futbollin spektakolar dhe krenarinë që i dhuruan gjithë kombit.






