Policia ka finalizuar operacionin e koduar “Porosia”, duke zbardhur zjarrvënien e qëllimshme të një automjeti në pronësi të një punonjësi policie në Vlorë.
Si pasojë e flakëve, u dëmtua edhe një automjet tjetër që ndodhej pranë.
Sipas njoftimit zyrtar, është identifikuar, kapur dhe ndaluar autori i dyshuar i zjarrvënies, shtetasi 39 vjeç, i Albano Merkaj, banues në Vlorë, me precedentë kriminalë.Ai dyshohet se më 14.04.2026 ka djegur automjetin tip “Ford C-Max” në pronësi të punonjësit të policisë.
Nga përhapja e flakëve është dëmtuar gjithashtu edhe një automjet tjetër “Mercedes-Benz”. Gjithashtu është bërë identifikimi i porositësit të dyshuar, shtetasi Ledio Hajdini, 35 vjeç, banues në Vlorë.
Dyshohet se ngjarja ka lidhje me një operacion të mëparshëm policor, gjatë të cilit L. H. ishte kapur për shkelje të masës së sigurisë “Arrest në shtëpi”, në kuadër të një hetimi për narkotikë.
Në operacion është sekuestruar edhe automjeti i përdorur nga autori i dyshuar. Materialet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, kryer në bashkëpunim, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë.






