Drejtori i Policisë së Qarkut të Lezhës, Islor Islami, ka paraqitur dorëheqjen pas një aksioni policor ku u zbuluan tre ambiente të përshtatura për lojëra fati dhe shpërndarje droge në Milot dhe Laç.
Gjatë operacionit u arrestuan tre persona dhe një tjetër u procedua penalisht, ndërsa një shtetas u shpall në kërkim.
Sipas policisë, në një nga ambientet në Laç, përveç ushtrimit të lojërave të fatit, është konstatuar edhe aktivitet i dyshuar për shitje të lëndëve narkotike. Në vendngjarje u gjet kokainë e ndarë në doza, e gatshme për shpërndarje.
Gjatë kontrolleve, forcat e rendit sekuestruan 15 makineri lojërash fati, 3 tavolina pokeri, sasi kokaine, para cash dhe sende të tjera të dyshuara si të përdorura në aktivitetin e paligjshëm.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme ligjore, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e plotë të personave të përfshirë në këtë veprimtari.






