Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, foli për digjitalizimin e shërbimeve publike, duke thënë se në mandatin e tretë synohet një digjitalizim më i plotë.

Gjatë fjalës së tij në foltoren e Kuvendit, Balla deklaroi se PS ka për qëllim të godasë të gjithë ata zyrtarucë të papërgjegjshëm që iu marrin ryshfet qytetarëve për t’iu ofruar një shërbim publik.

“Ky ligj dhe të tjera akte ligjore, që qeveria ka sjellë për përmirësimin e marrëdhënies mes shtetit dhe privatit, është në vijim të një procesi të vazhdueshëm të lehtësimit të zhvillimit të aktiviteteve private, të zgjerimit të mundësive të këtyre aktiviteteve private. Natyrshëm sot, 8 vite më pas, kur ne morëm përgjegjësinë e qeverisjes së vendit, dua t’iu kujtoj se shqiptarët më 2013 mbanin radhë për të marrë një certifikatë familjare, duhet të fusje mik për ta marrë më shpejt atë. Sot jemi në kushtet që plot 400 shërbime, si kjo e certifikatës, nuk ka më nevojë të presësh në radhë, të shkosh nëpër zyrat e shtetit, por këto shërbime i përfiton direkt nga shërbimet online. Sfida jonë në këtë mandat të ri është thellimi i kësaj reforme, që duhet të synojë një digjitalizim të plotë të shërbimeve dhe licensimeve, sepse ka një aksiomë në betejën me korrupsionin, sa më pak kontakt mes individëve, aq më pak korrupsion ka. Vendet që sot rankohen në krye të listës botërore me më pak korrupsion, si Finlanda, Estonia, janë vende ku i gjithë procesi i aplikimit për leje të ndryshme bëhet i gjithi online dhe është shmangur tërësisht kontakti mes zyrtarisht të shtetit dhe qytetarit që do të marrë shërbim.

Për PS edhe në këtë mandat të ri beteja kryesore është beteja për të çliruar zyrat e shtetit nga ata individë të korruptuar, që marrin ryshfet në këmbim të një shërbimi publik. Ky mandat i tretë duhet të jetë një mandat i një goditjeje shumë herë më të fortë të çdo zyrtaruci të pandreqshëm, i cili nuk e bën shërbimin publik si duhet. Kundërshtari më i madh i PS edhe në këto zgjedhje nuk ishte as Monika, as Luli, por ishin ata zyrtarë shteti, të cilët me papërgjegjshmërinë e tyre nuk ja kanë dhënë shërbimet si duhet qytetarëve. Transformimi i plotë i administratës në shërbim të plotë të qytetarëve dhe garantimi që çdo qindarkë publike që investohet, të investohet me cilësi, ne duhet ta rishikojmë gjatë mandatit të tretë”, tha Balla.

Më tej, numri dy i PS foli dhe për zgjedhjet e 25 prillit dhe ankimimet e partive, duke thënë se i gjithë procesi do të marrë kohën e vet të shqyrtimit, por në fund, sipas tij, të gjitha partitë do të pranojnë verdiktin e qytetarëve shqiptarë.

Mes të tjerash, Balla i bëri sërish thirrje opozitës, që në shtator të bashkohet në Parlament për të vijuar reformat e nisura dhe sidomos Reformën Zgjedhore, duke propozuar dhe ngritjen e një Komisioni të Posaçëm për vijimin e kësaj re forme.

“Meqë këtu u prek nga disa deputetët çështja e zgjedhjeve, më lejoni t’iu them se procedurat ankimore që subjektet zgjedhore po kryejnë, po marrin kohën e tyre. Koha në dispozicion është pa limit dhe falë zotit çdo parti politike nuk do të ketë më gojë në fund të këtij procesi për të mos pranuar verdiktin e qytetarëve shqiptarë. JO vetëm që verdikti ka dalë, jo vetëm që për të gjitha ankimimet kutitë janë hapur e rinumëruar, dhe është dëshmuar shumë qartë se nuk ka qoftë dhe një ndryshim të vogël, që mund të çojë në ndryshim rezultati. Falë marrëveshjes së 5 qershorit, besoj të gjitha partitë politike e kuptojnë që ky është një proces demokratik. Është në dinjitetin politik të secilëve garues që jo vetëm të njohin rezultatin, por në shtator të punojmë së bashku për vijimin e Reformës Zgjedhore të lënë në mes. Koha kur në Shqipëri votat e shqiptarëve numëroheshin nga numërues politikë duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë.

Është një hap që duhet ta hedhim. Besoj se edhe PD e LSI, ku unë besoj se do të ketë vetëm një grup parlamentar të opozitës në shtator, të fillojmë menjëherë punën për një komision të posaçëm për vijimin e Reformës Zgjedhore. Sa i përket votës së emigrantëve, ne e kemi votuar, i kemi hapur çelësat, KQZ filloi punën përgatitore, PD kërkoi kohë disa herë për të kthyer përgjigje dhe në fund nuk ktheu kurrë asnjë përgjigje. Kush ka dyshime se PS ka pasur interesa për të penguar votën e emigrantëve, le të shkojë në arkivat e KQZ dhe të shohë se kjo që thashë unë është e vërtetë. Tashmë kemi shumë kohë përpara për të garantuar që në zgjedhjet e 2025 çdo qytetar që jeton jashtë Shqipërisë të ketë të drejtë të votojë. Një gjë tjetër që kemi lënë për ta filluar në shtator është financimi i partive dhe i fushatave. Ne duhet t’i japim KQZ dhe institucioneve të tjera të gjitha instrumentet për të monitoruar dhe vendosur pragje për shpenzime për çdo kandidat. Ky është një proces që duhet të vazhdojë. Detyra jonë është të garantojë që ajo që nuk u realizua dot tani, vota e emigrantëve, këto të jenë të zgjedhjet e fundit ku ata nuk votuan”, deklaroi Taulant Balla.