Në këtë turne ndërkombëtar, që organizohet ne San Marino, ishin atletë pjesëmarrës nga 18 vende të kontinentit. Ekipi shqiptar përbëhej nga 8 atletë, dy meshkuj dhe 6 femra, të cilët në përfundim të garave arritën të fitonin 3 medalje ari dhe 1 një bronzi.
Në garën e kërcimit të gjati, atleti ynë i njohur Izmir Smajli thuajse nuk pati kundërshtarë. Ai kërceu 7.80 m sa për të siguruar medaljen e artë, ndërkohë që në kërcimin e dytë bëri një kërcim fenomenal, duke kaluar largësinë 8.33 m. Por ky rezultat nuk u konsiderua, pasi Smajli kishte shkelur vijën e pedanës me vetëm 2 milimetra, çka gjyqtaria e dha faull. Në vijim të garës, Smajli u tërhoq nga konkurrimi për ta ruajtur për garat e ardhshme dhe më të rëndësishme për kampionin, që ende është në kërkim të arritjes së normës së pjesëmarrjes në Olimpiadën e Tokios.
Gjithashtu, edhe atleti Franko Burraj siguroi medaljen e artë në garën e 400 m me kohën 46.90 sekonda, madje duke përmirësuar edhe rekordin kombëtar. Në “ekipin” e femrave, rezultatin më të mire e zunë motrat Dauti. Redia, me kohën 2’14 sekonda, meritoi medalje ari në garën e 800 metrave, ndërsa Relaksa fitoi medalje bronzi në garën e 1500 metrave.