Është shtyrë në Gjykatën e Tiranës seanca për efektivin e Policisë Nevaldo Hajdaraj, i akuzuar për vrasjen e Klodian Rashës, më 8 dhjetor të vitit të kaluar, për shkak se në seancën e sotme mungonte avokati i tij mbrojtës.
Avokati mbrojtës i tij është Adriatik Cama, i cili mbeti i plagosur dy javë më parë, në ngjarjen ku humbi jetën Kudret Saliaj, në zonën pranë Gjykatës së Tiranës.
Në seancën e sotme në Gjykatën e Tiranës ishte parashikuar që të bëhej mbrojtja e Hajdarajt, pas pretencës së dhënë pak ditë më parë nga ana e prokurorisë, e cila kishte kërkuar 20 vite burg ndaj ish-efektivit të shqiponjave, i cili do të përfitojë 1/3 e uljes së dënimit, pas gjykimit të shkurtuar.
Hajadaraj do të gjykohet për akuzën e vrasjes me dashje, e cila iu ndryshua rrugës pasi fillimisht ai u arrestua nën akuzën e vrasjes në kapërcim të kushteve të vetëmbrojtjes, me pretendimin se Rasha ishte i armatosur, gjë që nuk u provua asnjëherë nga ana e Prokurorisë.
Fillimisht policia tentoi manipulimin e provave duke servirur informacionin se në vendin ku kishte ndodhur sherri mes Hajdarit dhe Rashës ishte gjetur një armë, e cila më pas rezultoi të ishte disa metra më larg, dhe e paprovuar që ishte e viktimës.
Rasha u vra gjatë orës policore, ky qytetarëve iu ndalohej që të lëviznin, me pretendimin e përhapjes së Covid 19. Pas vrasjes së tij pati disa protesta në Tiranë, por familja kërkoi që ngjarja të mos politizohej, dhe të ishte sistemi i drejtësisë ai që të thoshte fjalën e fundit.
Faxweb.al