Kryeministri Edi Rama thotë se opozita po i përdor minorenët njësoj siç terroristët përdorin fëmijët për kamikazë. Teksa shpërndau pamjet e shkatërrimit që disa të rinj i bënë selisë së Partisë Socialiste në Shkodër këtë të shtunë, ai shkruan:
“Terroristët e Boko Haramit i përdorin fëmijët si kamikazë, nuk janë të parët në radhën e abuzuesve të minorenëve! Historia njeh disa raste kriminale me fëmijët, por që të shfaqej në Shqipëri si streha e fundit e maskarallëkut të politikës opozitare kjo është tejet e dhimbshme!“
“Uroj shumë dhe besoj fort se nuk ka prind demokrat e opozitar që ta pranojë këtë abuzim ekstrem me kalamajtë të udhëheqësve pa atdhe, pa din e as iman, pa shpirt e as tru, të kësaj opozite të mjerë në boshllëkun e saj moral dhe karakterin e saj kriminal! Mos i harroni këto kurrë!“.
Një grup protestuesish të rinj në moshë hodhën gurë e sende të forta drejt zyrave të Partisë Socialiste për Shkodrën këtë të shtunë, duke thyer fillimisht xhamat. Më pas ata u futën brenda në godinë, nxorën jashtë objekte që ndodheshin në të dhe u vunë flakën. Për të shpërndarë protestuesit ndërhynë Forcat e Ndërhyrjen së Shpejtë, që hodhën gaz lotsjellës dhe krijuan barrikadë përpara hyrjes së godinës.